ZGJATJE AFATI: Thirrja 5 e granteve lokale – “Punëtori për produksion muzikor”

DATA E PUBLIKIMIT: 2 Gusht 2019

AFATI PËR APLIKIME: 30 Shtator 2019

AFATI I ZGJATUR: 15 Tetor 2019

KONTAKT: [email protected]

Muzika është një formë e ndërlikuar e artit. Si e tillë, ajo sjell sfida logjistike. Për artistët e rinj në Shqipëri, këto sfida mund të bëhen pengesë, duke i dekurajuar ata nga hulumtimi i talentit dhe aftësive të tyre.

Edhe pse institucionet arsimore publike dhe private ofrojnë një farë infrastrukture, ka mungesë të një atmosfere bashkëpunimi të pavarur, në të cilën artistët e rinj dhe në zhvillim të mund të punojnë, bashkëpunojnë dhe të prodhojnë së bashku.

Nëse muzika me vlera të larta artistike mbështetet, ajo mund të ndikojë mbi shoqërinë dhe të krijojë mundësi zhvillimi.
Në Shqipëri ekziston një numër i konsiderueshëm artistësh të rinj dhe premtues në zhanret e rokut, xhazit, muzikës alternative dhe asaj elektronike.

Ndaj, për të mbështetur krijimtarinë mes muzikantëve të rinj, Fondi Kulturor Zviceran në Shqipëri, fton organizatat e sektorit të kulturës, që të paraqesin propozime për një punëtori të produksionit muzikor (PPM), përmes së cilës, një grup muzikantësh të rinj të mund të krijojnë dhe të eksplorojnë kreativitetin e tyre me ndihmën e logjistikës dhe mbikqyrjes së kualifikuar.

Aplikimet janë të mirëpritura nga organizatat kulturore me përvojë të dëshmuar në këtë fushë.

Nëse jeni të interesuar të aplikoni, jeni të lutur të lexoni me kujdes udhëzimet e aplikimit përpara se të dorëzoni propozimin tuaj.