Rezultatet e përzgjedhjes për thirrjet e vitit 2021

Në vijim të thirrjeve të publikuara në 4 Maj për:

  • Grante për veprimtari kulturore;
  • Konsulencë për sesione informuese dhe evente rrjetëzimi;
  • Konsulencë për ngritje kapacitetesh;

fondi Kulturor Zviceran ka kënaqësinë të shpallë aplikantët e suksesshëm. Të gjithë aplikimet u vlerësuan me kujdes nga një bord trepalësh që përfaqëson SCF, SDC dhe ekspert të pavarur. Shfrytëzojmë rastin për të falënderuar edhe një herë të gjithë ata që aplikuan në thirrjet tona për 2021. Ne morëm një numër të lartë të aplikimesh cilësore dhe vendimet nuk ishin të lehta. Propozimet fituese janë:

Thirrja për grante e 2021

  1. Anila Balla – Përdhunimi. Dy monologë krejtësisht të kundërt në përmbajtje, por me një gjë të përbashkët: seksualitetin. Si dy kontradikta tematike, ato vijnë gjithashtu si një koncept regjisorial dhe aktrim.
  2. Was Bleibt Kollektiv – Nostalgji. Një koleksion i miniaturave koreografike të filmuara rreth kujtimeve, realiteteve që janë humbur ose gjenden vetëm në arkivat e nënvetëdijes.
  3. Tirana Art Lab – Arkivi Lundrues i Tiranës. Një platformë digjitale që dokumenton ndërhyrjet artistike të së kaluarës dhe të tanishmes në hapësirën publike në Tiranë nga vitet 1990 deri më sot.
  4. Bulevard Team – Lidhu (Tie-In). Një program që përfshin: një videoinstalcion, shfaqje muzikore dhe biseda mbi videoklipin në Shqipëri nga vitet 90 deri më sot.
  5. CFD – VA.TRA. Promovimi dhe dokumentacioni filmik dhe dixhital i valles së Rrajcës, riteve të dasmës, veshjeve tradicionale, përmes performancës së artistëve të rinj dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore. Gjallërimi i jetës kulturore të komunitetit si dhe krijimi i mundësive për të gjeneruar të ardhura.
  6. Gerald Jaupi – Qytet pa (ide)ntitet. Ilustrimi i shpërbërjes së identitetit të qytetit përmes mediumit të artit dixhital
  7. Qendra Multimediale “Shteg” – Shteg muzike. Zhvillimi dhe promovimi i muzikantëve bashkëkohorë të skenës së pavarur muzikore, në platformën online www.shteg.al.
  8. Zeta – Politika minerale. Katër artistë në fushën e artit bashkëkohor do të krijojnë dhe ekspozojnë në Bulqizë dhe Tiranë. Do të ketë gjithashtu një panel diskutimi.

Konsulencë për organizimin e sesioneve të informacionit dhe eventeve të rrjetëzimit

Në meritë të kualifikimit dhe përvojës, bordi vlerësues zgjodhi Z. Kristi Komino si konsulent për organizimin e sesioneve të informacionit dhe ngjarjeve të rrjetit.

Konsulencë për ngritje kapacitetesh

Bordi vlerësues nuk zgjodhi asnjë konsulent për ndërtimin e kapaciteteve në këtë thirrje.